• Banka e BE-së pritet të investojë 65 milionë euro për të mbështetur NVM-të në Ballkanin Perëndimor, për të shpëtuar vendet e punës dhe për t'u përgatitur për rifillimin e punës
  • Kredia u është dhënë bankave të ProCredit në Serbi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, për të mbështetur rimëkëmbjen dhe zhvillimin e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht pandemisë.
  • Deri më tani, BEI ka investuar 4,1 miliardë euro në sektorin e NVM-ve në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur më shumë se gjysmë milioni vende pune

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe grupi ProCredit kanë rënë dakord mbi një linjë të re kredie prej 65 milionë eurosh për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në Ballkanin Perëndimor dhe për të shpejtuar rimëkëmbjen e tyre nga kriza e COVID-19. Ky transaksion siguron financime shumë të nevojshme për kompanitë në Serbi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe u përgjigjet nevojave të tyre për kapital qarkullues, likuiditet dhe investime përballë pandemisë aktuale. Paralelisht, masa forcon sektorin bankar rajonal dhe forcon aftësinë e tij për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Kredia e BEI-t do të ndihmojë në zbutjen e tronditjes ekonomike të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, mbështetjen e kompanive, mbajtjen e vendeve të punës dhe mirëmbajtjen e bizneseve të vogla në të gjithë rajonin. Linja e kredisë është pjesë e paketës së Komisionit Evropian për mbështetjen financiare prej 3,3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 1,7 miliardë euro nga BEI janë caktuar për të mbështetur rimëkëmbjen e qëndrueshme sociale dhe ekonomike në rajon. Kreditë e BEI-t drejt sektorit privat ndjekin përpjekjet e Team Europe për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.

Nënkryetarja e BEI-t përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, Lilyana Pavlova, tha: “Ndikimi i COVID-19 pritet të jetë veçanërisht i ashpër për NVM-të, të cilat zënë rreth 73% të punësimit total në Ballkanin Perëndimor. Kjo masë vjen në kohën e duhur për të ndihmuar rajonin të lehtësojë rënien ekonomike, të sigurojë punësim dhe të mbështetë zhvillimin. Siç ishte rasti më parë, BEI ka shprehur edhe një herë mbështetjen e saj të vendosur për të avancuar zhvillimin e sektorit privat drejt konvergjencës me standardet e BE-së dhe krijimin e një tregu të fortë rajonal të përbashkët me rritjen e konkurrencës dhe të mundësive të punës. Ne kemi kënaqësinë të jemi me partnerë të tillë të besueshëm në rajon Banka ProCredit. ”

Menaxhmenti i ProCredit Holding AG & Co. KGaA, kompania mëmë e grupit ProCredit, pohoi:

“Falë marrëdhënieve të mirëvendosura me klientët dhe partnerët tanë, siç është BEI, ne kemi qenë në gjendje të sigurojmë mbështetje efikase për NVM të shumta gjatë këtyre muajve të trazuar. Kjo linjë krediti e BEI-t do të ndihmojë NVM-të në Ballkanin Perëndimor të kapërcejnë mungesat afatshkurtra të likuiditetit dhe do të sigurojë mbështetje për projektet e tyre të investimeve - ndërsa në të njëjtën kohë do t'i hapë ato drejt linjave dhe mundësive të reja të biznesit.

Ne presim që rimëkëmbja ekonomike në vitet e ardhshme të stimulohet nga një zhvendosje strukturore drejt investimeve me impakt pozitiv ndaj klimës, si dhe të qëndrueshme nga pikëpamja shoqërore dhe ekologjike.”

Linja e kreditit do të jetë në dispozicion të NVM-ve në filialet e ProCredit në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Deri më tani, BEI ka investuar 4,1 miliardë euro në NVM-të e Ballkanit Perëndimor, çka ka ndihmuar në ruajtjen e mbi gjysmë milioni vendeve të punës në rajon.

Shënim për redaktorët:

Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor:

BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, Banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej mbi 8 miliardë eurosh në rajon.

Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni faqen e mëposhtme: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans

Aksioni i BEI-t për klimën

Banka Evropiane e Investimeve është aktive në rreth 160 shtete dhe është huadhënësi më i madh shumëpalësh në botë për projektet e aksionit për klimën. Grupi BEI kohët e fundit ka miratuar “udhërrëfyesin e bankës klimatike” për të realizuar planin e tij ambicioz të mbështetjes me 1 trilionë euro ndaj aksionit për klimës dhe investimet për qëndrueshmëri mjedisore në dekadën deri në 2030 dhe për të dhënë më shumë se 50% të financimit të BEI-t ndaj aksionit për klimën dhe qëndrueshmërisë mjedisore deri më 2025. Gjithashtu, si pjesë e udhërrëfyesit, nga fillimi i vitit 2021, të gjitha veprimet e reja të Grupit BEI do të përputhen me qëllimet dhe parimet e Marrëveshjes së Parisit.

Rreth ProCredit Holding AG & Co. KGaA

ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt-mbi-Majn, Gjermani, është kompania mëmë e grupit të orientuar drejt zhvillimit, ProCredit, i cili përbëhet nga banka tregtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Përveç fokusit të tij operativ në Evropën Juglindore dhe Lindore, grupi ProCredit është gjithashtu aktiv në Amerikën e Jugut dhe Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të bursës së Frankfurtit. Aksionarët e ndërmjetëm të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshijnë investitorët strategjikë Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (mjeti i investimit për personelin e ProCredit), holandezët e DOEN Participaties BV, KfW Development Bank dhe IFC (pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Si kompani me rol mbikëqyrës në grup, sipas ligjit gjerman për bankat, ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret në një nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal Mbikëqyrës Financiar Gjerman (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe Banka Federale Gjermane. Për informacion të mëtejshëm, vizitoni: www.procredit-holding.com.

Për Team Europe dhe përgjigjen ndaj COVID-19 në Ballkanin Perëndimor:

Si pjesë e strategjisë #TeamEurope, përgjigjja globale e BE-së ndaj COVID-19, Grupi BEI ka mobilizuar me shpejtësi 5,2 miliardë euro jashtë BE-së, duke përshpejtuar financimin dhe asistencën e fokusuar teknike. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, BEI ka përgatitur një paketë të menjëhershme mbështetjeje prej 1,7 miliardë eurosh, kryesisht për NVM-të dhe sektorin shëndetësor. Paketa e përgjithshme e mbështetjes financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor arrin në mbi 3,3 miliardë euro. Për më shumë informacion: www.eib.org/en/press/all/2020-111-eib-group-to-contribute-eur1-7-billion-to-the-eu-s-covid-19-response-package-for-the-western-balkans