• BEI-ja investoi 853 milionë euro në Ballkanin Perëndimor në vitin 2021, duke mbështetur mobilizimin e rreth 3 miliardë eurove në investime në rajon.
  • BEI-ja mbështet rimëkëmbjen e shpejtë dhe të gjelbër të rajonit me 1.7 miliardë euro të dhëna tashmë si pjesë e paketës financiare 'Team Europe' për COVID-19.
  • Ballkani Perëndimor do të përfitojë edhe më tej nga fillimi i BEI Globale, dega e re e BEI-së e krijuar për të përshpejtuar financimin dhe ndikimin jashtë BE-së përmes ekspertizës dhe mbështetjes financiare të efektshme
  • Në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian dhe Portën e re Globale, BEI-ja investoi 257 milionë euro në projekte të qëndrueshme në rajon në vitin 2021
  • BEI-ja ofroi rreth 200 milionë euro për sektorin digjital në rajon, duke e bërë Grupin e BEI-së një nga lehtësuesit kryesorë të transformimit digjital në Ballkanin Perëndimor.
  • Banka e BE-së investoi 560 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vitin 2021, të cilat i ndihmuan bizneset të ruajnë likuiditetin dhe investimet, të përshtaten, të ruajnë dhe krijojnë vende pune.

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), banka e Bashkimit Evropian, investoi gjithsej 853 milionë euro në të gjithë Ballkanin Perëndimor në vitin 2021 për zhvillimin e qëndrueshëm, tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin dhe mbështetjen për bizneset e vogla. Vitin e kaluar, BEI-ja investoi 560 milionë euro në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke i ndihmuar ato të rimëkëmben, të përshtaten dhe të vazhdojnë të ofrojnë mundësi punësimi. Me një investim prej rreth 200 milionë eurosh në sektorin digjital të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2020, Grupi i BEI-së u bë një nga lehtësuesit kryesorë të transformimit digjital në rajon. Si pjesë e 'Team Europe', BEI-ja ka përmbushur angazhimin e saj për të injektuar 1.7 miliardë euro për rikuperimin më të shpejtë nga COVID-19, duke siguruar rritje të gjelbër, digjitale dhe të qëndrueshme.

Për të zgjeruar praninë e saj lokale dhe për të rritur asistencën financiare dhe teknike për vendet jashtë BE-së, Grupi i BEI-së njoftoi BEI Globale - duke synuar të përshpejtojë planifikimin dhe zbatimin e projektit përmes mbështetjes së përshtatur të ofruar nga ekspertë në terren. Ballkani Perëndimor mund të korrë përfitime nga BEI Globale, i cili do të jetë gjithashtu një nga partnerët kryesorë të Komisionit Evropian në zbatimin e nismës Porta Globale (Global Gateway).

Zëvendës-presidentja e BEI-së, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Jam tepër krenare për rezultatet e arritura, të cilat tregojnë përkushtimin tonë të fortë nën kuadrin e 'Team Europe' për tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin dhe zhvillimin e sektorit privat. Mbështetja jonë ishte e prekshme jo vetëm në financim, por përmes rritjes së mbështetjes sonë teknike për prezantimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, si dhe Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor që do të përcaktojë rrugën drejt një mjedisi më të pastër dhe kushteve më të mira të jetesës. Ne ndihmuam rajonin të përshtatet me epokën e re digjitale përmes zhbllokimit të fondeve të konsiderueshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe aftësive digjitale. Tani, me krijimin e BEI Globale, ne do të jemi në gjendje të reagojmë menjëherë dhe të përmbushim nevojat konkrete në terren, të zgjerojmë partneritetin dhe njohuritë tona për vendet dhe rajonin që kanë më shumë nevojë për të. BEI Globale hap një kapitull të ri dhe rrit shtrirjen tonë jashtë BE-së, duke na mundësuar që të drejtojmë timonin e digjitalizimit, veprimeve për ndryshimet klimatike dhe rritjes gjithëpërfshirëse në mënyrë më efektive. ”

Ndihma për NVM-të në ruajtjen e vendeve të punës, zhvillimin dhe transformimin

Në vitin 2021, BEI-ja dha 560 milionë euro për kompanitë e vogla dhe të mesme në rajon për të ndihmuar në ruajtjen e likuiditetit, vazhdimin e investimeve, ruajtjen e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive të reja të punësimit. Këto fonde ishin të disponueshme në kushte më të përballueshme, afatgjata dhe fleksibël, si pjesë e paketës financiare të 'Team Europe' për rimëkëmbjen më të shpejtë të gjithë rajonit nga Covid-19.

Banka e BE-së prezantoi mjete dhe produkte të reja financiare, të tilla si linja kreditimi të dedikuara për veprimin ndaj klimës, me qëllim lehtësimin e dekarbonizimit të kompanive në rajon përmes futjes së praktikave efikase të energjisë. Pritet të jepen kredi të tjera financiare me ndikim në të gjithë rajonin për të plotësuar kredinë e nënshkruar tashmë në vitin 2020 për Serbinë, në mbështetje të firmave për të punësuar njerëz nga grupet e cenueshme sociale. Nëpërmjet instrumentit të ri të garancisë për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimit më të ngushtë me filialin tonë të dedikuar për NVM - Fondet Evropiane të Investimeve, ne presim të rrisim mbështetjen tonë për zhvillimin e sektorit privat.

BEI-ja e rriti mbështetjen për veprimin ndaj klimës dhe qëndrueshmërinë mjedisore në Ballkanin Perëndimor

Si banka e BE-së për klimën, BEI-ja rriti mbështetjen e saj teknike dhe financiare për t'u fokusuar në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve klimatike dhe të qëndrueshme, në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve. Në vitin 2021, ajo zhbllokoi gjithsej 257 milionë euro për mbrojtjen e mjedisit, rrjete më të sigurta dhe efikase të energjisë, transportin e qëndrueshëm dhe prezantimin e projekteve miqësore me klimën ndër kompanitë e vogla. Financimi i BEI-së është dhënë për të mbështetur ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë dhe sistemeve të shpërndarjes së ujit në Tiranë, si dhe në komunat Jajce dhe Zvornik, të cilat do të ofrojnë qasje në ujë të pijshëm dhe shërbime sanitare për më shumë se një milion njerëz në rajon. Financimi i BEI-së do të forcojë gjithashtu rrjetet e energjisë në Evropën Juglindore me futjen e furnizimit të sigurt, të larmishëm dhe efikas.

Investimet e BEI-së, të nënshkruara në vitin 2021, mundësuan modernizimin e transportit urban në Kantonin e Sarajevës, i cili do të ndihmojë në trajtimin e trafikut të rënduar dhe reduktimin e ndotjes së ajrit. Së bashku me Komisionin Evropian dhe partnerët e tjerë, EIB planifikon të rrisë mbështetjen e saj teknike për të ndihmuar rajonin të ecë përpara me Axhendën e Gjelbër.

Lehtësimi i një transformimi digjital

Me investime që kapin vlerën e 200 milionë eurove në projekte digjitale në të gjithë Ballkanin Perëndimor që nga viti 2020, BEI-ja mundësoi një rritje të zgjuar, elastike dhe gjithëpërfshirëse të rajonit. Investimet e BEI-së adresojnë hendekun digjital të rajonit dhe lejojnë përmirësimin e rrjetit ekzistues 4G dhe futjen e rrjetit 5G, si dhe digjitalizimin e mbi 1500 shkollave dhe zhvillimin e aftësive digjitale. Në aspektin afatgjatë, ajo do të rrisë produktivitetin e biznesit, efikasitetin e institucioneve publike dhe kapacitetin e punësimit të të rinjve në kuadrin e epokës së re digjitale.

Të dhëna bazë

Rreth BEI Globale

Për t'iu përgjigjur më mirë sfidave tona globale, BEI-ja vendosi të krijojë një degë kushtuar partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, të quajtur BEI Globale. Ajo do të bashkojë të gjitha burimet dhe ekspertizën e BEI-së për vendet dhe rajonet jashtë BE-së për të ndihmuar në dhënien e një kontributi më të fokusuar për 'Team Europe'. Kjo do të ndihmojë në rritjen e ndikimit të financimit të BEI-së përmes një bashkëpunimi të thjeshtuar me partnerët dhe përfituesit, me institucionet e tjera financiare të zhvillimit, me shoqërinë civile dhe ekspertë të jashtëm.  Nëpërmjet BEI Globale, banka do të zgjerojë praninë e saj lokale në të gjithë botën, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të ndihmojë në sjelljen e ekspertëve për të ndihmuar në identifikimin dhe realizimin e projekteve në terren.

Rreth BEI-së në Ballkanin Perëndimor

BEI-ja është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë periudhës 2009-2021, Banka ka financuar projekte me një vlerë gjithsej rreth 10 miliardë euro në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI-ja është shtrirë në shumë fusha të reja që prej vitit 2010, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, kërkimin dhe zhvillimin, arsimin dhe NVM-të. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-së në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans