>@EIB
  • Mbulimi, cilësia dhe efikasiteti i përmirësuar i sektorit të ujit vlerësohet të sjellë përfitime për rreth 700 000 njerëz dhe të rrisë qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike për rreth 40% të popullsisë së vendit.
  • Ky është operacioni i tretë mjedisor i BEI në Maqedoninë e Veriut
  • Si një nga financuesit më të mëdhenj të projekteve të ujësjellësit, BEI ka dhënë deri më sot rreth 700 milionë euro për sektorin e ujësjellësit në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendës-presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Lilyana Pavlova, vizitoi Maqedoninë e Veriut për të riafirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të Bankës për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të vendit përmes investimeve në infrastrukturën jetike dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët vendas. Me këtë rast, banka e BE-së nënshkroi një investim me vlerë 50 milionë euro për rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë, ujërave të zeza dhe mbrojtjes nga përmbytjet, e hapur për 80 bashkitë në të gjithë vendin. Këto aktivitete do të kontribuojnë në përmirësimin e mbulimit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, duke mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin. Projekti do të sjellë përfitime për rreth 700 000 njerëz, do të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe do të forcojë qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike për rreth 40% të popullsisë së vendit.

Bashkitë e përzgjedhura do të mund të shfrytëzojnë fondet për modernizimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve, rrjeteve të shpërndarjes dhe grumbullimit, si dhe masat emergjente për mbrojtjen nga përmbytjet. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Maqedonisë së Veriut do të zbatojë programin në nivel komunal për investime në ujësjellës me mbështetje teknike nga BEI me vlerë 1,2 milionë euro. Ai buron nga Nisma e Rimëkëmbjes Ekonomike, që synon mobilizimin e financimeve shtesë në mbështetje të rritjes, infrastrukturës jetike dhe kohezionit social në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendës-presidentja e BEI-së, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për veprimet në Maqedoninë e Veriut, tha: “Ky është një investim strategjik për vendin në kuadër të mbështetjes së ‘Team Europe’ dhe një prioritet kur bëhet fjalë për ofrimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, si dhe rrugën e anëtarësimit në BE dhe përafrimin me standardet e BE-së. Ai do të ndihmojë në mbylljen e një boshllëku të rëndësishëm investimi në sektorin e ujësjellësit dhe do t'u sigurojë partnerëve tanë vendas një burim financimi afatgjatë për të adresuar nevojat e tyre dhe qëllimet e qëndrueshmërisë. Duke përmirësuar kushtet mjedisore dhe të jetesës në vend, fondet do të krijojnë përfitime të konsiderueshme sociale dhe ekonomike dhe do të forcojnë qëndrueshmërinë e infrastrukturës ujore ndaj ndryshimeve klimatike, që është një objektiv i rëndësishëm për bankën e BE-së për klimën.

“Sipas kontratës, me mbështetjen e vazhdueshme të BEI ndaj Maqedonisë së Veriut, Qeveria vë në dispozicion 50 milionë euro si mbështetje direkte financiare që do t'u shpërndahet komunave dhe komunave në qytetin e Shkupit si donacion për realizimin e projekteve të infrastrukturës së shërbimeve komunale. Projekti është pjesë e politikave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për zhvillim të balancuar rajonal, ku zhvillimi i komunave pritet të stimulohet përmes investimeve në infrastrukturën e shërbimeve komunale”, nënvizoi ministri i Financave, Fatmir Besimi. Ai vijoi duke thënë se kjo do të kontribuojë edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, veçanërisht në zonat rurale dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e gatshme për realizimin e projekteve të përcaktuara si prioritete nëpër komuna. Ne presim gatishmëri dhe pjekuri nga komunat për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit me qëllim realizimin dhe shfrytëzimin e shpejtë e të suksesshëm të financave të parashikuara. Zbatimi i shpejtë nënkupton hapjen e mundësive të reja për investime”, theksoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Investimi mbështetet nga Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), i cili është pjesë e kuadrit financiar të BE-së për vendet partnere për të mbështetur infrastrukturën publike dhe private.

Ambasadori i Be-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, deklaroi: “Ky investim i ri do të ndihmojë Maqedoninë e Veriut që të sigurojë menaxhim të qëndrueshëm të burimeve të saj ujore në mënyrë të konsiderueshme, përmes zhvillimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së rëndësishme mjedisore, të tilla si grumbullimi dhe trajtimi u mbetjeve ujore, furnizimi me ujë të pijshëm dhe vendosja në punë e rrjetit të kanalizimeve. Investimi tërheq financime shtesë në sajë të qasjes së “Team Europe”, e cila e tejkalon atë të ofruar tashmë për mbështetje në infrastrukturë në kuadër të Instrumentit të BE-së për Asistencën e Para-anëtarësimit. Investime të tilla duhet të sjellin përfitime praktike për qytetarët si rezultat i përdorimit të burimeve ujore në vend në mënyrë më të gjelbër, të sigurt dhe të shëndetshme.

Si një nga financuesit më të mëdhenj ndërkombëtarë në botë për projektet e ujësjellësit, BEI ka zhbllokuar rreth 700 milionë euro për sektorin e ujësjellësit në Ballkanin Perëndimor deri më sot. Gjatë dekadës së fundit, BEI ka dhënë 11 miliardë euro për investime afatgjata të ujësjellësit në mbarë botën.

Të dhëna bazë

Rreth BEI:

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. https://www.eib.org/en/

Rreth BEI në Maqedoninë e Veriut:

BEI ka qenë aktive në territorin e Maqedonisë së Veriut që nga themelimi i saj në vitin 1991, duke dhënë financim për të mbështetur projektet kyçe të infrastrukturës, autoritetet lokale dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme (NVM). BEI ka dhënë 1,1 miliardë euro financim për NVM-të dhe projektet e infrastrukturës së transportit, energjisë dhe shërbimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI në Maqedoninë e Veriut, ju lutemi të shkoni te: https://www.eib.org/en/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/north-macedonia/index.htm

Rreth BEI-t në Ballkan:

BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI në Ballkanin Perëndimor, ju lutemi të klikoni lidhjen më poshtë: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans

Banka Evropiane e Investimeve është aktive në rreth 160 shtete dhe është huadhënësi më i madh shumëpalësh në botë për projektet e aksionit për klimën. Grupi BEI kohët e fundit ka miratuar “udhërrëfyesin e bankës së klimës” për të realizuar planin e tij ambicioz të mbështetjes me 1 trilionë euro ndaj aksionit për klimën dhe investimet për qëndrueshmëri mjedisore në dekadën deri në 2030 dhe për të dhënë më shumë se 50% të financimit të BEI ndaj aksionit për klimën dhe qëndrueshmërisë mjedisore deri më 2025. Gjithashtu, si pjesë e udhërrëfyesit, të gjitha veprimet e reja të Grupit BEI do të përputhen me qëllimet dhe parimet e Marrëveshjes së Parisit që nga fillimi i vitit 2021. https://www.eib.org/en/about/priorities/climate-action/index.htm