>@EIB
  • BEI pret që qëndrueshmëria e aktiviteteve kredituese të testohet gjatë gjashtë muajve në vijim me kushte më të shtrënguara oferte dhe rritje të mundshme të kredive me probleme
  • Grupet bankare ndërkufitare shohin një treg me potencial në pjesën më të madhe të rajonit, veçanërisht në Rumani dhe Çeki
  • Fitimi mbetet më i lartë për filialet e EQLJ-së sesa për grupin e përgjithshëm

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) publikoi Anketën e kreditimit bankar me fokus në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ). Anketa shqyrton të dhënat e mbledhura në shtator 2022 dhe përshkruan trajektoren e pritshme në gjashtë muajt e ardhshëm ndaj kërkesës për kredi, kushteve të ofertës dhe cilësisë së kredisë.

Rritja e kërkesës së korporatave për likuiditet dhe kërkesa e individëve për kredi banesash kanë sjellë rritje të kërkesave për kredi në rajonin e EQLJ. Bankat presin që kërkesa e përgjithshme për kredi të rritet më tej gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, megjithëse me një ritëm më të moderuar, ku kërkesat për kapital qarkullues të shoqërive tregtare për të mbuluar nevojat për likuiditet tani janë motivi kryesor. Pritet rritje e investimeve fikse dhe segmenteve të shitjes me pakicë, duke përfshirë kredinë konsumatore dhe strehimin.

Bankat presin që kushtet për ofertën e kredisë – të cilat bankat financuese janë të gatshme t’u ofrojnë klientëve të tyre – të përkeqësohen ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Standardet e kredisë janë shtrënguar, veçanërisht në tregun e hipotekave, veçanërisht për shkak të efekteve të luftës në Ukrainë, inflacionit dhe normave më të larta të interesit, si dhe ngadalësimit të përgjithshëm të ekonomive. Kështu, kërkesa e fuqishme për kredi do të përballet me kushte më të shtrënguara oferte.

Pavarësisht parashikimeve, cilësia e kredisë ka evoluar në mënyrë të favorshme gjatë gjashtë muajve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh perspektivën e pafavorshme ekonomike, bankat presin sërish një rritje të kredive me probleme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Debora Revoltella, shefe e Departamentit të Ekonomisë në BEI, tha: “Pavarësisht pritshmërive të pafavorshme ekonomike, bankat në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore raportojnë sërish akses të qëndrueshëm në financim, falë përmirësimeve të qëndrueshme në financimin e depozitave me pakicë dhe të korporatave. Në vijim, në kontekstin e përkeqësimit të kushteve globale, bankat parashikojnë shtrëngim të kushteve të ofertës dhe po përgatiten për një rritje të mundshme të kredive me probleme.

Zëvendëspresidentja e BEI, Lilyana Pavlova, tha: “Roli i monitorimit të bankave përmes një ankete si kjo është vendimtare për të kuptuar se si do të evoluojë ekonomia dhe për të vlerësuar me saktësi kushtet financiare në mbarë Evropën. Falë përpjekjeve të ekonomistëve të BEI-t, ne kemi një pasqyrë të mjedisit ekonomik të EQLJ-së, e cila do të na mundësojë të ofrojmë financimin e nevojshëm për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme nevojave të njerëzve dhe bizneseve në rajon.”

Bankat mëmë: një pasqyrë optimiste

Grupet bankare ndërkufitare shohin një treg me potencial në pjesën më të madhe të EQLJ-së, veçanërisht në Rumani dhe Çeki. Arsyeja kryesore është se, në të gjitha rastet, përveç Polonisë, fitimi është më i lartë për filialet e tyre të EQLJ-së sesa për grupin e përgjithshëm.

Duke parë strategjinë afatgjatë, grupet bankare ndërkufitare shfaqin synime pozitive ndaj veprimeve të tyre në rajon, ku më shumë se gjysma e tyre synojnë të ruajnë nivelin aktual të veprimeve, ndërsa pothuajse një e treta synojnë të zgjerohen në mënyrë selektive. Megjithatë, 10% e grupeve bankare (krahasuar me zero në valën e mëparshme të anketës) kanë sinjalizuar synimin e tyre për të ulur në mënyrë selektive aktivitetin në rajon. Pavarësisht pasigurisë dhe rreziqeve në rritje, shumica e grupeve bankare ndërkombëtare mbeten të sigurta në potencialin e rajonit.

Të dhëna bazë

Rreth departamentit ekonomik të BEI-t

Departamenti ekonomik i BEI-t kryen kërkime dhe studime ekonomike, si dhe jep analiza unike të aktiviteteve të investimeve në Bashkimin Evropian dhe më gjerë. Ai mbështet bankën në aktivitetet e saj dhe në përkufizimin e pozicionimit, strategjisë dhe politikës së saj. Kryeekonomistja, Debora Revoltella, drejton departamentin, një ekip prej 40 ekonomistësh.

Rreth anketës së huadhënies bankare në EQLJ nga BEI

Anketa e huadhënies bankare në EQLJ nga BEI kryhet çdo gjashtë muaj, ku pyeten rreth 15 grupe ndërkombëtare bankare  dhe 85 filiale lokale ose banka të pavarura lokale në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ajo mbledh informacion mbi standardet e kredive, kushtet, si dhe faktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë që mund të jenë përgjegjës për ndryshimet në huadhënie. Është shqyrtuar edhe kërkesa për hua. Anketa përfshin pyetje specifike për cilësinë e kredisë dhe kushtet e financimit për bankat. Ajo është projektuar për ngritjen e një paneli vrojtimesh që mund të ofrojnë një vlerësim thuajse në kohë reale të gjendjes aktuale të sektorit bankar në rajonin e EQLJ-së. Kjo anketë kryhet dhe menaxhohet nga departamenti ekonomik i BEI-t, dhe është pjesë përbërëse e një sërë raportesh të hartuara së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore për Vienna Initiative.

Për më shumë informacion mbi anketat tona ekonomike, shihni  këtu.