>@EIB
  • BEI po mbështet një zhvillim strehimi të përballueshëm që do të ndihmojë në akomodimin e 6 500 njerëzve në Tiranë 
  • Ky është projekti i parë i BEI për strehim të përballueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe projekti i 3-të me qytetin e Tiranës.
  • Si banka e BE-së për klimën, BEI synon të ndihmojë vendin të jetë më i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, në përputhje me standardet evropiane të efikasitetit të energjisë

Banka Evropiane e Investimeve (BEI), bankë e Bashkimit Evropian, do të kanalizojë një grant asistence teknike me vlerë 2 milionë euro për përgatitjen e një projekti strehimi të përballueshëm në Tiranë. Granti do të mundësojë forcimin e kapaciteteve të bashkisë dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm në përputhje me standardet e BE-së dhe objektivat klimatike e mjedisore të BEI. Banka do të mbështesë bashkinë në përpjekjet e saj për të ofruar akomodim më të mirë dhe efikas në energji për banorët më të cenueshëm të Tiranës. Projekti ka të bëjë me ndërtimin e ndërtesave të reja dhe infrastrukturës ndihmëse në një sipërfaqe prej 86 600 m2, e cila do të strehojë rreth 6 500 njerëz dhe rreth 1 600 familje me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Granti i BEI do të mundësojë ofrimin e asistencës teknike për përgatitjen e një projekti strehimi social të përballueshëm, duke përfshirë ndikimin e gjerë pozitiv social, mjedisor, klimatik dhe ekonomik për banorët e kryeqytetit të Shqipërisë. Granti vjen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI, e cila synon të mobilizojë financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryetarja e BEI-së Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Banka Evropiane e Investimeve është e lumtur të mbështesë më tej bashkinë e Tiranës në adresimin e nevojave të zhvillimit urban të qytetit në një mënyrë shoqërore gjithëpërfshirëse dhe me efikasitet energjetik. Granti i nënshkruar sot nën degën tonë të re EIB Global është një dëshmi e mëtejshme e përkushtimit tonë për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme të Shqipërisë, përafrimin me standardet e BE-së dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.”

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Ne kemi firmosur një grant të parë prej 2 milionë eurosh, që do të bëjë të gjithë studimin e nevojave që ne kemi për strehimin social, hapësirave që do t’i dedikojmë dhe mënyrës se si do ta planifikojmë në vitet e ardhshme, për të ndjekur hapat e rritjes së Tiranës. Kanë qenë dy vjet bisedime dhe negociata dhe ju falënderoj shumë që zgjodhët Tiranën.”

Ambasadorja Christiane Hohmann, Shefe e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha: “BE-ja, nëpërmjet bankës së saj, Banka Evropiane e Investimeve (EIB) do të përmirësojë strehimin social në Tiranë duke investuar në benesa me efiçencë nga ana energjitike për shtresat më të cenuara. Ky është një hap tjetër përpara, që garanton që zhvillimi urban i Tiranës të përshtatet me ndryshimet klimatike dhe të gjenerojë rritje të qëndrueshme, ndërsa kryeqyteti i afrohet standardeve të BE-së për sa i përket përfshirjes sociale dhe efiçencës energjitike.”

Banka tashmë po punon me bashkinë e Tiranës për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit dhe rizhvillimin urban të bregut të lumit të Lanës, duke përfshirë riorganizimin e rrugëve dhe infrastrukturës shoqëruese në secilin breg të lumit. Qyteti po përfiton gjithashtu nga asistenca teknike në kuadër të Fondit të Hendekut Financiar për Klimën e Qytetit që do të ndihmojë Tiranën të përmirësojë efikasitetin e energjisë dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.

Të dhëna bazë

Rreth BEI Globale:

BEI Globale është krahu i ri i specializuar i Grupit të BEI, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit. BEI Globale ka për qëllim të nxisë partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën

Rreth BEI-së në Ballkan

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej mbi 10 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si kujdesi shëndetësor, kërkimi dhe zhvillimi, arsimi dhe NVM-të. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans

Rreth BEI-së në Shqipëri:

BEI ka qenë aktive në Shqipëri që prej vitit 1995. Deri më sot, janë financuar 26 projekte dhe janë investuar mbi 640 milionë euro kryesisht në mbështetjen e infrastrukturës kyçe të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI në Shqipëri, ju lutemi referojuni: Shqipëria dhe BEI

Rreth Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike

Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike (NRE) u krijua në vitin 2016 në përgjigje të një thirrjeje nga Këshilli Evropian. Objektivi i nismës është të ndihmojë në ndryshimin e modeleve të emigrimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe të ofrojë mbështetje për popullsitë e zhvendosura me forcë, duke rritur rimëkëmbjen ekonomike ndaj goditjeve të ardhshme. NRE e realizon objektivin e saj duke mobilizuar financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në rajonet fqinje të BE-së. Për më shumë informacion, ju lutemi ndiqni lidhjen në vijim: https://www.eib.org/en/projects/initiatives/resilience-initiative/index.htm