>@Shutterstock
© Shutterstock
  • Mbështetja thelbësore e politikave gjatë pandemisë ndihmoi në parandalimin e falimentimeve në shkallë të gjerë në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm 3% e firmave kanë aplikuar për falimentim ose janë mbyllur përgjithmonë.
  • Tregtia me ekonomitë e zhvilluara, informacioni dhe njohuritë e fituara përmes zinxhirëve me vlerë globale, si dhe aksesi në teknologjinë e huaj ndihmuan në rritjen e novacionit dhe të konkurrencës në rajon.
  • Tranzicioni në një ekonomi me karbon neto zero paraqet rreziqe të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që firmave u mungojnë stimujt për të gjelbëruar modelet e tyre të biznesit.
  • Mungesa e aksesit në financa vazhdon të kufizojë rritjen e NVM-ve në rajon. Në veçanti, financimi i firmave të reja novatore dhe i sipërmarrjeve të reja pengohet nga mungesa e historikut të kredive dhe mbështetja në aktive jomateriale që janë të vështira të kolateralizohen.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe pasojat e tij ekonomike vijnë pikërisht kur firmat në Ballkanin Perëndimor po rimëkëmbeshin nga tronditja e COVID-19. Prezantimi i sotëm “Qëndrueshmëria e biznesit në Ballkanin Perëndimor në kohët e goditjeve të përsëritura” i paraqitur nga krye-ekonomistja e BEI-së, Debora Revoltella, në Bordin Strategjik të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Romë, shqyrton se si firmat në rajon përballuan rënien e fortë të shkaktuar nga pandemia dhe sa të përgatitura janë për t'u përballur me sfidat e ardhshme. Rezultatet rrjedhin nga raporti i titulluar Qëndrueshmëria e Biznesit në Pandemi dhe Përtej, i qarkulluar së fundmi dhe i publikuar bashkërisht nga BEI, BERZH dhe FMN, i cili mbulon një rajon më të gjerë të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

Një përmbledhje në internet mund ta lexoni këtu.

“Lufta në Ukrainë po teston sërish qëndrueshmërinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor teksa po rikuperojnë nga pandemia”, tha kryeekonomistja e BEI-t, Debora Revoltella. “Rreziqet e reja dhe pasiguria e shtuar po i vënë nën presion flukset dhe tregtinë ndërkufitare. Kjo ka rëndësi, pasi analiza jonë tregon se qëndrueshmëria dhe kapaciteti novator i firmave janë të lidhura me pjesëmarrjen e tyre në zinxhirët me vlerë globale dhe tregti. Në fazën e tendencave të mundshme të zhglobalizimit, Ballkani Perëndimor duhet të shfrytëzojë avantazhin e tij konkurrues të lidhjeve të forta me BE-në dhe ta përforcojë atë më tej, si një trampolinë për zhvillim më të shpejtë”.

Ballkani Perëndimor – ndikimi i COVID-19

Deri më sot, firmat e kanë kaluar pandeminë më mirë sesa mendohej fillimisht. Ato humbën 29% të fitimeve dhe 9% të fuqisë së tyre të punës, ku pandemia goditi veçanërisht shërbimet me kontakt intensiv dhe bizneset më të vogla dhe të mesme. Megjithatë, mbështetja masive e politikave ndihmoi në parandalimin e falimentimeve në shkallë të gjerë, ku vetëm 3% e firmave aplikuan për falimentim ose u mbyllën përgjithmonë në rajon.

Raporti tregon se firmat që ishin integruar në zinxhirët me vlerë globale, ato që kishin qenë më novatore në të kaluarën, ato që ishin më të digjitalizuara dhe ato me menaxhim më të mirë cilësor u përshtatën më mirë gjatë pandemisë. Ato zgjeruan praninë e tyre në internet, kaluan në të punuarit në distancë, përshtatën prodhimin ose përfituan më me efikasitet nga mbështetja e politikave në dispozicion.

Programet e qeverisë luajtën një rol stabilizues duke zbutur stresin e firmave të cenueshme, si p.sh. bizneset më të vogla, firmat e pavarura dhe ato të cilave u mungojnë lehtësitë e overdraftit.

Hapja ndaj tregtisë në Ballkanin Perëndimor nxit rezistencën, novacionin dhe konkurrencën

Pjesa e novatorëve, % e firmave brenda profilit të tregtimit

>@EIB

Burimi: Llogaritja e BEI-t bazuar mbi "Anketën e BEI-BERZH-BB për ndërmarrjet, 2019".

Raporti vëren se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi investojnë më shumë në novacion sesa ekonomitë referencë, megjithëse procesi udhëhiqet nga përshtatja në teknologji të reja të zhvilluara diku tjetër. Hapja e ekonomisë globale ka qenë thelbësore për t'u mundësuar këtyre vendeve përmirësimin e avantazheve të tyre krahasuese dhe rritjen e konkurrencës së tyre. Formimi industrial i rajoneve më të integruara në zinxhirët me vlerë globale është i fokusuar qartë në produkte me vlerë të shtuar më të lartë, ndërsa ato që janë më pak të integruara tregtojnë kryesisht produkte të prodhuara me vlerë të shtuar më të ulët ose lëndë të para.

Provat në raport tregojnë se integrimi tregtar me ekonomitë e zhvilluara, veçanërisht me Bashkimin Evropian, aksesi në informacion dhe njohuri përmes pjesëmarrjes në zinxhirët globalë të vlerave, teknologjia e licencuar e huaj dhe praktikat moderne të menaxhimit janë ndër komponentët më të rëndësishëm për nxitjen e novacionit në Ballkanin Perëndimor.

Boshllëqet financiare

Sistemet financiare në Ballkanin Perëndimor kanë rezistuar mirë deri më tani. Firmat vazhdojnë të mbështeten kryesisht në kredinë bankare për financimet e jashtme. Tregjet e kapitalit janë të pazhvilluara, dhe disponueshmëria e kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe qirasë financiare është shumë e kufizuar. Përqindja e firmave të kufizuara kreditore në Ballkanin Perëndimor është dukshëm më e lartë midis firmave të vogla krahasuar me ato të mëdha (16% kundrejt 7%). Këto kufizime kreditore vijnë nga transparenca e pamjaftueshme nga ana e NVM-ve, si dhe kufizimet në kapacitetin e vlerësimit të rrezikut të ndërmjetësve. Në vazhdim, trashëgimia e pandemisë COVID-19 dhe ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës ka të ngjarë të pengojnë më tej aksesin e fortë financiar. Me kalimin e kohës, normat më të larta të politikave do të përkthehen në kushte më të shtrënguara financimi, me hendekun kërkesë-ofertë kredie edhe më të fortë për NVM-të. Ky është një shqetësim, pasi aksesi në financa, duke përfshirë overdraftet, ishte më parë një burim rezistence për firmat gjatë pandemisë.

>@EIB

Burimi: Llogaritja e BEI bazuar mbi "Anketën e BEI-BERZH-BB për ndërmarrjet, 2019". "E vogël" u referohet firmave me më pak se 20 punonjës, "Mesatare" janë firmat me 20-99 punonjës dhe "Të mëdha" janë firmat me 100 ose më shumë punonjës.

Ekonomia e gjelbër

Rajoni po kalon ngadalë nga një varësi ndaj qymyrit dhe naftës në energjinë bërthamore dhe energjinë e rinovueshme, duke forcuar sigurinë e vet energjetike. Megjithatë, deri në vitin 2018, rajoni mbështetej shumë në lëndët djegëse fosile për të prodhuar tre të katërtat e energjisë elektrike. Disa vende vazhdojnë të ofrojnë subvencione bujare që ulin çmimin e gazit dhe të lëndëve djegëse të tjera fosile për konsumatorët, duke ngadalësuar motivimin për të ulur emetimet.

NVM-ve në Ballkanin Perëndimor zakonisht u mungojnë stimujt për gjelbërimin e modeleve të tyre të biznesit. Rreziku fizik i klimës po prek tashmë NVM-të në Ballkanin Perëndimor, ku 10% e të anketuarve në "Anketën e ndërmarrjeve" raportojnë humbje nga dukuritë ekstreme të motit në tre vitet para intervistës. Megjithatë, studimi dokumenton një ndërgjegjësim të kufizuar midis NVM-ve për çështjet mjedisore pasi vetëm 21% e NVM-ve po investojnë në efikasitetin energjetik dhe midis atyre që nuk miratojnë asnjë masë klimatike, 59% e firmave konsiderojnë se një investim i tillë nuk është prioritet.  Më konkretisht, raporti tregon se investimet për klimën varen si nga kapaciteti menaxherial ashtu edhe nga aksesi në financim. Një ndërhyrje efikase do t'u përgjigjet si kufizimeve financiare ashtu edhe pengesave në ndërgjegjësimin dhe kapacitetin menaxherial.

Të dhëna bazë

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI gjithashtu mbështet investime jashtë Bashkimit Evropian.

Rreth raportit

Qëndrueshmëria e biznesit në pandemi dhe përtej, përshtatja, novacioni, financimi dhe veprimi klimatik nga Evropa Lindore në Azinë Qendrore është një botim i përbashkët i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me kontribute nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Të dhënat në këtë raport u mblodhën dhe u analizuan përpara pushtimit të armatosur të Ukrainës nga Rusia. 

Raporti përdor një grup unik të dhënash në nivel firme, valën e fundit të "Anketës së ndërmarrjeve të grupit BERZH-BEI-Banka Botërore (Anketa e ndërmarrjeve, 2019)", e cila ka mbledhur të dhëna për më shumë se 28 000 firma të regjistruara nga 2018 deri në 2020. Anketa u krye pak para fillimit të pandemisë, duke ofruar një pamje strukturore të firmave në rajon. Raporti përdor gjithashtu raundin e parë të anketave të ndërmarrjeve pasuese të COVID-19, të cilat pyetën më shumë se 16 000 firma. Banka Botërore përdori anketën pasuese për të ekzaminuar sesi firmat iu përshtatën krizës.