>@EIB
  • Një grant i asistencës teknike globale i BEI-t do të mundësojë përgatitjen e një plani investimesh kapitale dhe mobilizimin e investimeve private në qarqet Shkodër dhe Lezhë.
  • Projektet do të përmirësojnë lidhjen e zonës, cilësinë mjedisore dhe ofertën turistike.
  • Qëllimi është të shfrytëzohet potenciali i zhvillimit të Shqipërisë së Veriut dhe i vijës bregdetare të Adriatikut me fokus zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

BEI Globale, dega e Bankës e fokusuar në veprimet jashtë Bashkimit Evropian, do të japë një grant asistence teknike prej 2,75 milionë eurosh për Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për përgatitjen e një programi investimi prioritar. Programi do të mbulojë zonën afër kufirit me Malin e Zi përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Bunë në portën kryesore për në Alpet Shqiptare. Pas përfundimit të një strategjie të integruar të turizmit dhe zhvillimit urban, e cila është gjithashtu pjesë e mbështetjes këshillimore të BEI-t, kjo asistencë teknike do të fokusohet në kryerjen e vlerësimeve mjedisore, teknike dhe sociale dhe në kalimin e projekteve të zgjedhura në fazën e zbatimit.

Projektet do të mundësojnë ndërtimin e infrastrukturës mjedisore, transportit lokal, urban dhe turistik në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës, duke rezultuar në rritjen socio-ekonomike dhe përmirësimin e lidhjes, cilësisë mjedisore dhe ofertës turistike të zonës.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Ne kemi kënaqësinë të mbështesim ri-zhvillimin e një zone kaq të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm socioekonomik të Shqipërisë. Ky program i profilizuar investimi që do të hartohet në kuadër të grantit të BEI Globale do të sjellë njohuri për nevojat specifike infrastrukturore, të cilat do të ndihmojnë në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, komunikacionit dhe kapaciteteve të mbrojtjes së mjedisit, për të përmbushur standardet më të larta drejt shfrytëzimit të potencialit të plotë ekonomik të Shqipërisë së Veriut.”

Dritan Agolli, drejtor ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, tha: Për më shumë se një dekadë, qeveria shqiptare ka synuar të reformojë qasjen ndaj zhvillimit rajonal dhe lokal drejt një sistemi më efikas që harmonizon dhe integron ndërhyrjet sektoriale dhe vendore në territor. Nëpërmjet kësaj nisme synojmë të ndërtojmë një program gjithëpërfshirës investimesh që do t'u përgjigjen nevojave dhe potencialeve territoriale, duke përmirësuar atraktivitetin e kësaj zone, do të nxisë potencialin e gjenerimit ekonomik, do të investojë në njerëz dhe shërbime, si dhe do të përmirësojë shërbimet publike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit sheh te BEI një partner të rëndësishëm në arritjen e misionit të tij, në mbështetje të synimeve dhe objektivave të qeverisë shqiptare."

Zonat që do të mbulohen në kuadër të asistencës teknike të BEI Globale përfshijnë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, brigjet e liqenit të Shkodrës, lumit Bunë dhe vendkalimin e Koplikut për në Alpet Shqiptare, si dhe bashkitë e Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe

Informacion përshkrues

Rreth BEI-t:

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së.

Rreth BEI Globale:

BEI Globale është krahu i specializuar i grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit. BEI Globale ka për qëllim të nxisë partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.

Rreth FSHZH-së

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është një agjenci e krijuar me ligj të posaçëm në vitin 1993 si një fond investimesh sociale për zbutjen e varfërisë në vend. Që nga misioni i tij fillestar për të zbutur varfërinë në zonat rurale të Shqipërisë me ndërhyrje të vogla pas rënies së regjimit komunist, FSHZH-ja është shndërruar në organin kryesor të zhvillimit. FSHZH-ja ka një qasje rajonale dhe zbaton projekte të integruara dhe komplekse që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik si dhe krijimin e modeleve të suksesshme, duke i kthyer këto në rezultate me ndikim afatgjatë në mirëqenien e njerëzve. Vitet e fundit, FSHZH-ja ka luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në reformën e zhvillimit rajonal.

Rreth BEI-t në Ballkan

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej mbi 10 miliardë eurosh në rajon. Përveç mbështetjes së vazhduar për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që nga viti 2010, BEI është zgjeruar në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans

Rreth BEI-t në Shqipëri:

BEI ka qenë aktive në Shqipëri që prej vitit 1995. Deri më sot, janë financuar 26 projekte dhe janë investuar mbi 640 milionë euro, kryesisht në infrastrukturën kryesore të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-së në Shqipëri, ju lutemi shihni Shqipëria dhe BEI.