Një lidhje hekurudhore në kufirin me Bullgarinë rrit ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe e mban atë në rrugën e duhur për anëtarësimin në BE

Që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, planifikuesit e hekurudhave kanë ëndërruar për një linjë nga Gjermania Veriore përmes Evropës Qendrore deri në bregun bullgar të Detit të Zi. Por ëndrrës kishte kohë që i mungonte një hallkë. Tani, Maqedonia e Veriut po e mbyll hendekun.

Vendi synon të përfundojë një linjë hekurudhore prej 89 km nga Kumanova në kufirin bullgar deri në fund të kësaj dekade. Linja e re mbështetet nga një sërë financimesh prej BE-së.

“Bashkimi Evropian po e mbështet Maqedoninë e Veriut në zhvillimin e një sistemi hekurudhor funksional dhe modern, i cili do të ofrojë lidhje më të mirë, rritje të cilësisë së jetës dhe rritje të mundësive të zhvillimit ekonomik për qytetarët”, tha David Geer, kreu i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

“Integrimi i lidhjeve hekurudhore në rrjetin e transportit të Maqedonisë së Veriut është një nga prioritetet e Bashkimit Evropian, sepse do të sigurojë lëvizje efikase miqësore ndaj klimës për njerëzit dhe mallrat në të gjithë kontinentin evropian.



Zhvillimi i një hekurudhe funksionale dhe moderne

Ndërtimi i seksionit të parë prej 31 km ndërmjet qyteteve të Kumanovës dhe Beljakovcës filloi në vitin 2022, pasuar nga lidhja e re hekurudhore nga Beljakovca në Kriva-Pallankë. Në dhjetor 2023, Bashkimi Evropian njoftoi paketën financiare për fazën përfundimtare të seksionit lindor të Korridorit VIII hekurudhor nga Kriva-Pallanka në Deve-Bair në kufirin bullgar. Këtu do të përfshihet elektrifikimi i seksionit prej 88 km nga Kumanova deri në kufi.

“Fondet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka siguruar nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – si dhe një grant nga Bashkimi Evropian – janë pa dyshim vendimtare për përfundimin e këtij projekti”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave i Maqedonisë së Veriut.

“Zbatimi i tij do të krijojë kushte më të mira pune për kompanitë, do të mundësojë transport më të lehtë të mallrave dhe udhëtarëve dhe do të inkurajojë zhvillimin”, shtoi ai.

Financim i madh hekurudhor për lidhjen e Maqedonisë së Veriut

Për këtë linjë kryesore hekurudhore, janë siguruar 560 milionë euro nën udhëheqjen e Team Europe. Fondet përfshijnë një hua prej 175 milionë euro nga BEI Globale dhe një tjetër hua të së njëjtës masë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto kredi do të plotësohen me një grant prej 150 milionë eurosh të BE-së përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe një grant prej 60 milionë eurosh nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit. Projekti është pjesë e Global Gateway, strategjia e Bashkimit Evropian që synon zvogëlimin e hendekut global të investimeve për infrastrukturën jetike.

Projekti do të vazhdojë të përfitojë nga mbështetja teknike e Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane të Investimeve, e cila përfshin asistencën përmes programit JASPERS për të siguruar që përgatitja, tenderimi dhe ekzekutimi të kryhen në përputhje me standardet e BE-së. Asistenca teknike rrit gjithashtu kapacitetin e ekipit vendas për zbatimin e projektit.

“Me ofrimin e 365 milionë eurove, ne jemi krenarë që veprojmë si një institucion financiar udhëheqës për këtë projekt që përfshin grantin më të madh të dhënë ndonjëherë nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Kyriacos Kakouris, zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, përgjegjës për rajonin. “Është një shembull i mirë i shumëllojshmërisë së mbështetjes financiare dhe teknike që ofron Banka.”

Efikasitet dhe cilësi më e lartë e shërbimit në sektorin hekurudhor

Përmirësimi i kapacitetit zbatues – si dhe linjat e reja – do të hedhin themelin e një sistemi modern hekurudhor në Maqedoninë e Veriut që nxit bashkëpunimin dhe konkurrencën e hapur brenda rrjeteve të transportit rajonal dhe të BE-së. Miratimi i fundit i ndryshimeve në ligjin për sistemin hekurudhor në vend do të kontribuojë në këto përpjekje me efikasitet më të lartë, cilësi të shërbimit dhe konkurrencë në sektorin hekurudhor. Nga ana tjetër, kjo sjell më shumë investime.

Lidhja e re do të transportojë rreth 500 000 tonë mallra dhe gjysmë milioni pasagjerë në vit, duke përmirësuar lidhjen e rajoneve përgjatë linjës dhe duke ulur ndjeshëm kostot e transportit të mallrave.

"Pas përfundimit, ajo do të lehtësojë në mënyrë efikase lëvizjen ndërkombëtare të mallrave dhe njerëzve," tha Jürgen Rigterink, zëvendëspresidenti i parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,” duke reduktuar distancën hekurudhore deri në Detin e Zi dhe Turqinë me rreth 200 kilometra.”

Drejtim i ri për vendin me traditë 150-vjeçare hekurudhore

Rritja e përdorimit të hekurudhave është një hap i rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë së klimës, sepse ato përbëjnë më pak se 1% të emetimeve të gazit që lidhen me transportin. (Hidhini një sy seksioneve 3.2.12 dhe 3.2.14 të Librit të statistikave të Bashkimit Evropian për transportin). Transporti zakonisht renditet si kontribuuesi i dytë ose i tretë më i madh në ndotjen e ajrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë ndër më të ndoturit në Evropë. Hekurudhat e reja moderne do të nxisin një zhvendosje nga rruga në hekurudhë dhe do të kontribuojnë në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin. Kjo është në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së dhe strategjinë e lëvizjes së qëndrueshme dhe inteligjente, të cilat synojnë të reduktojnë emetimet e transportit me 90% deri në vitin 2050.

Për një vend që hapi hekurudhën e tij të parë në vitin 1873 midis Selanikut dhe Shkupit dhe që tani ka 700 km linja hekurudhore, Maqedonia e Veriut e sheh këtë sektor si një prioritet në arritjen e synimeve të saj klimatike dhe të lidhjes. Është gjithashtu një hap i rëndësishëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.