- 27 shtetet anëtare miratojnë planin për rritjen e financimit të ri me një vlerë rekord deri në 100 miliardë EUR për vitin 2025.
- Tavani i rishikuar përfshin 3,5% të financimit total për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane. Bordi i BEI-t miraton gjithashtu projektin historik për ndërtimin e bazës ushtarake në Lituani.
- Aksionarët e Grupit të BEI-t njoftuan programin më të madh të BE-së për të financuar udhëheqjen teknologjike të Evropës dhe për të miratuar valën e parë të instrumenteve të reja për të mbështetur "teknologjinë e pastër".
- Bordi i BE-së miraton marrëveshjen me Agjencinë Gjermane të Kreditiimit të Eksportit për të ofruar një garanci mbarë-evropiane për kompanitë që tregtojnë me Ukrainën.
Aksionarët e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), shtetet anëtare të BE-së, miratuan një tavan financimi me vlerë të lartë rekord prej 100 miliardë EUR për këtë vit dhe programe të reja për të forcuar konkurrencën, udhëheqjen teknologjike dhe sigurinë e Evropës.
Bordi i guvernatorëve i BEI-t, i përbërë nga ministrat e Financave të Bashkimit Evropian, ka miratuar tavanin e financimit për vitin 2025 në një takim të mbajtur sot në Luksemburg. Bordi i drejtorëve i BEI-t dhe Fondi Evropian i Investimeve (FEI) i dhanë dritën e gjelbër në fillim të kësaj jave rritjes së financimit për sigurinë dhe mbrojtjen, rrjetet e energjisë dhe programin e ri "TechEU" për të përforcuar udhëheqjen teknologjike të Evropës. Ata miratuan gjithashtu projekte avangardë, duke përfshirë mbështetjen e ekonomisë së Ukrainës dhe ndërtimin e një baze të madhe ushtarake në Lituani.
"Mbështetja unanime e aksionarëve tanë, d.m.th. 27 shtetet anëtare, për propozimet tona për të ofruar financim rekord për mbrojtjen, sigurinë e energjisë dhe lidershipin e teknologjisë, tregon rolin kryesor të Grupit të BEI-t për të mbështetur përparësitë strategjike të Evropës," - tha presidentja e grupit të BEI-t, Nadia Calviño. "Në një botë ku gjithçka kudo po ndryshon menjëherë, BE-ja është një udhërrëfyes qartësie, besimi dhe qëndrueshmërie."
Tavani i ri financues për vitin 2025 i Grupit të BEI-t, me vlerë 100 miliardë EUR pason rishikimin nga mesi i vitit të planit të punës të organizatës, i cili përfshin një rritje në 3,5% të financimit total për sektorin evropian të sigurisë dhe të mbrojtjes, financimin në një vlerë rekord prej më shumë se 11 miliardë EUR për rrjetet elektrike dhe magazinimin në Evropë, si dhe mbështetje më të madhe për novacionin teknologjik dhe industrial të BE-së.
Programi "TechEU"
Grupi i BEI-t ka njoftuar programin më të madh të financimit të BE-së deri më sot në mbështetje të novacionit dhe të lidershipit të teknologjisë për të tërhequr talentet, kapitalin dhe investimet në Evropë. "TechEU" do të ofrojë kuazi-kapital, kredi dhe garanci të Grupit të BEI-t me vlerë 70 miliardë EUR gjatë periudhës 2025–2027 dhe do të tërheqë investitorë privatë për të gjeneruar së paku 250 miliardë EUR në investime.
"TechEU" po plotëson "Strategjinë e sipërmarrjes dhe të rritjes" të Komisionit Evropian për të mbështetur projekte me rrezik më të lartë dhe kompanitë novatore gjatë gjithë rrugëtimit të tyre të investimeve.
"TechEU| ofron më shumë mbështetje për teknologjinë e përpunimit masiv kompjuterik, inteligjencën artificiale, infrastrukturën digjitale, lëndët e para kritike, sektorët e gjelbër, si p.sh. energjia eolike, shëndeti, teknologjitë e sigurisë dhe të mbrojtjes, robotika dhe materialet e avancuara. Ajo do të shënjestrojë kompani novatore në çdo fazë të zhvillimit të tyre - nga idetë fillestare në listimin në bursë.
Marrëveshja e industrisë së pastër
Bordi i BEI-t ka miratuar gjithashtu valën e parë të instrumenteve në kuadër të "TechEU" për të mbështetur lidershipin e Evropës në teknologjinë e pastër, në përputhje me marrëveshjen e industrisë së pastër të BE-së, duke përfshirë përforcimin e garancive të kombinuara për prodhimin e energjisë eolike dhe tri instrumente të reja për të forcuar konkurrencën e Evropës:
- Një paketë prej 1,5 miliardë EUR si kundërgaranci përmes bankave partnere ndaj prodhuesve të komponentëve të rrjetit për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, duke u dhënë kompanive siguri më të madhe për të rritur prodhimin e rrjeteve elektrike në të gjithë Evropën. Kjo do të lehtësojë integrimin e energjisë së rinovueshme në rrjet dhe ofrimin e energjisë së përballueshme për bizneset dhe familjet e BE-së.
- Për të ndihmuar në sigurimin e kostove të parashikueshme dhe të përballueshme të energjisë për bizneset dhe për të përshpejtuar investimet në energjinë e gjelbër, BEI dhe Komisioni Evropian po njoftojnë një program pilot me vlerë 500 milionë EUR për të marrë përsipër më shumë marrëveshje për blerjen e energjisë së korporatës (PPA-të). BEI-ja do të kundër-garantojë, përmes bankave partnere, pjesë e PPA-ve të ndërmarra nga kompanitë e mesme, si dhe kompani më të mëdha intensive në përdorimin e energjisë për blerjen afatgjatë të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të pastra.
- Për të ofruar likuiditet dhe kapital pune për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shumë novatore që angazhohen në zhvillimin e teknologjive të gjelbra, BEI dhe Komisioni po njoftojnë një skemë garancie prej 250 milionë EUR të quajtur "CleantechEU".
- Një vlerë prej 1,5 miliardë EUR për një program të suksesshëm të BEI-t që mbështet turbinën evropiane të erës dhe prodhuesit e komponentëve.
Drejtues të rinj
Ministri çek i Financave, Zbyněk Stanjura, do të marrë përsipër kryesimin e bordit të guvernatorëve për një vit, me efekt të menjëhershëm.
"BEI luan një rol kyç në mbështetjen e përparësive evropiane nga mbrojtja në sigurinë e energjisë ose strehim të përballueshëm," - tha ministri çek i Financave, Zbyněk Stanjura. "E marr përsipër me kënaqësi postin e kryetarit të bordit të guvernatorëve. Pres të punoj nga afër me presidenten Calviño dhe ministrat e tjerë të Financave të BE-së për të mbështetur BEI-n, ndërsa kjo rrit aktivitetet për të ndihmuar në përballimin e shumë sfidave me të cilat përballet Evropa."
"BEI ka treguar në mënyrë mbresëlënëse aftësinë e saj për të mbështetur objektivat evropiane në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe për të përmbushur me efikasitet përgjegjësitë e saj në rritje në mbështetje të sigurisë dhe mbrojtjes, tranzicioneve të gjelbra dhe digjitale dhe rritjen ekonomike në Evropë, duke ruajtur pozicionin funksional dhe financiar të bankës," - tha ministrja bullgare e Financave, Temenuzhka Petkova, e cila kryesoi bordin e guvernatorëve gjatë 12 muajve të kaluar. "Do të doja t'i shpreha mirënjohjen time presidentes Calviño, institucionit dhe t'i përcillja urimet e mia më të mira kreut të ri, kolegut tim të nderuar, Zboynzik Stanjura."
Bordi i guvernatorëve gjithashtu mirëpriti Katja Pluto si drejtuese të re të komisionit të auditimit, duke pasuar Nuno Love Fernandes. Përveç kësaj, komisioni i auditimit paraqiti raportin e vet vjetor.
Siguria e energjisë, mbrojtja dhe partneritetet globale
Përpara bordit të guvernatorëve, bordi i drejtorëve i BEI-t dhe i FEI-t i kësaj jave, miratuan masa të reja me vlerë prej 12,8 miliardë EUR për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes së Evropës, konkurrencën, sigurinë dhe partneritetet e energjisë në mbarë botën. Kjo përfshin nismat sipas paketës së BEI-t për marrëveshjen e industrisë së pastër të Grupit të BEI-t dhe mbështetjen për zhvillimin e bazës ushtarake së Rūdninkai, për brigadën e Ushtrisë Federale Gjermane, një projekt kyç për të përmirësuar operacionet e NATO-s dhe të sigurisë rajonale.
Bordi i BEI-t ka miratuar tre impiante diellore fotovoltaike në Rumani, infrastrukturën e ujit në Irlandë dhe Holandë, rrjetet elektrike në Gjermani dhe ambiente arsimore në Finlandë. Përveç kësaj, BEI po forcon partneritetet globale të Evropës duke mbështetur energjinë e rinovueshme në Kolumbi, transportin e qëndrueshëm të rrugëve ujore në Nigeri dhe shërbimet e higjienës së ujit në Tanzani.
Bordi i Fondit Evropian të Investimeve (FEI) ka miratuar një transaksion garancie me agjencinë kombëtare gjermane të kreditimit të eksportit për të forcuar mbështetjen për kompanitë gjermane që eksportojnë në Ukrainë, si dhe dy transaksione garancie me bankat ukrainase për të përmirësuar aksesin në financim për më shumë se 1500 biznese ukrainase. Kjo pason nënshkrimin e parë në maj me Agjencinë Daneze të Kreditimit të Eksportit për të ofruar një garanci mbarë-evropiane për kompanitë që eksportojnë në Ukrainë.
Përveç kësaj, FEI ka miratuar investime në katër fonde të infrastrukturës që do të mbështesin qendrat e të dhënave në terren, investimet në rrjetet me valë dhe fibër, dekarbonizimin e sektorit të transportit, transportin e qëndrueshëm dhe strehimin e studentëve.
Deklaratat rreth bordit të guvernatorëve të BEI-t do të ofrohen në EBS.
Të dhëna bazë
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të saj anëtare. BEI financon investime në tetë prioritete thelbësore që mbështesin objektivat e politikave të BE-së: masat për klimën dhe mjedisin, digjitalizimin dhe novacionin teknologjik, sigurinë dhe mbrojtjen, kohezionin, bujqësinë dhe bioekonominë, infrastrukturën sociale, unionin e tregjeve të kapitalit dhe një Evropë më të fortë në një botë më paqësore dhe më të begatë.
Grupi i BEI-t, i cili përfshin gjithashtu Fondin Evropian të Investimeve (FEI), nënshkroi financime të reja me vlerë rreth 89 miliardë EUR për mbi 900 projekte të nivelit të lartë në vitin 2024, duke rritur konkurrencën dhe sigurinë e Evropës.
Duke nxitur integrimin e tregut dhe investimet, Grupi mbështeti investime të reja me një vlerë rekord prej më shumë se 100 miliardë EUR për sigurinë e energjisë të Evropës në vitin 2024 dhe mobilizoi një kapital me një vlerë prej 110 miliardë EUR për sipërmarrjet e reja, rritjen e bizneseve dhe pionierët evropianë. Përafërsisht gjysma e financimit të BEI-t janë brenda rajoneve të kohezionit të BE-së, ku të ardhurat për banor janë nën mesataren e BE-së, ndërsa pothuajse 60% e investimeve vjetore të Grupit të BEI-t mbështesin masat për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Foto me cilësi të lartë, të përditësuara të selisë së organizatës për përdorim mediatik ofrohen këtu.

©EIB
Download original
©EIB
Download original
©EIB
Download original
©EIB
Download original
©EIB
Download original
©EIB
Download original