>@EIB
  • Grant për asistencë teknike për planin e dekarbonizimit të sistemit të ngrohjes në Prishtinë dhe përgatitjen/zbatimin e projektit të zgjerimit të ngrohjes qendrore
  • Në kuadër të Nismës së Rimëkëmbjes Ekonomike (NRE), BEI Globale do të ndihmojë në ofrimin e një sistemi ngrohjeje më efikas në energji, duke mbështetur ekonominë lokale dhe kushte më të mira jetese për 210 000 njerëz

Banka Evropiane e Investimeve (BEI), përmes degës së saj të re BEI Globale, ofron një grant prej 1,5 milionë eurosh për asistencë teknike për të financuar përgatitjen e projektit dhe zbatimin e zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Projekti do të çojë në një sistem ngrohjeje më efikas në energji për Prishtinën, duke kontribuar në uljen e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 210 000 njerëz.

Asistenca teknike e BEI-së do të mbështesë zhvillimin e një plani të dekarbonizimit për sistemin e ngrohjes në Prishtinë, përgatitjen e vlerësimeve të nevojshme të ndikimit mjedisor dhe social dhe zbatimin e projektit. Fondet po sigurohen nën kuadrin e NRE të BEI Globale, si pjesë e përgjigjes së Bankës dhe të Bashkimit Evropian për të forcuar infrastrukturën kryesore që përmirëson jetën e njerëzve. Me synimin për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor, banka e BE-së ofron mbështetje financiare për zhvillimin e infrastrukturës dhe të sektorit privat.

Nënkryetarja e BEI-së, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet e Bankës në Ballkanin Perëndimor, tha: “Si bankë e BE-së, ne synojmë të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor të rrisë sigurinë energjetike dhe të mbështesë dekarbonizimin e ekonomive lokale, gjë që është thelbësore për zhvillim me efikasitet të burimeve dhe për përmbushjen e kushteve të konvergjencës për anëtarësimin në BE. Kjo asistencë teknike do të japë një plan për sektorin e qëndrueshëm të energjisë të Prishtinës, duke ndihmuar qytetin t'u përgjigjet sfidave që burojnë nga popullsia në rritje. Do të krijojë vende të reja pune dhe mundësi biznesi për kompanitë, ndërsa do të përmirësojë kushtet e jetesës për njerëzit në Kosovë falë shërbimeve të ngrohjes më miqësore ndaj mjedisit, që do të ofrohen me çmime më të përballueshme.

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve vlerësoi bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me BEI-në, si një nga partnerët kyçë të Kosovës në agjendën e saj të gjelbër dhe deklaroi se: “Kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për ne. Rritja e efikasitetit dhe e kapacitetit të sistemit të ngrohjes do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke ulur ndotjen e ajrit që vjen nga ngrohja dhe duke e bërë atë më të përballueshëm, veçanërisht gjatë dimrit.”

Arsim Fetahu, drejtori ekzekutiv i "Termokos sh.a." deklaroi: “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është shumë i rëndësishëm pasi që nevoja për ngrohje në qytetin e Prishtinës dihet se është e lartë. Kjo marrëveshje hap rrugën që në të ardhmen shumë objekte që janë ndërtuar disa dekada më parë dhe ende nuk janë kyçur në rrjetin e ngrohjes dhe ndërtesat e reja në lagjet e reja do të kenë mundësi të kyçen në rrjetin e ngrohjes dhe kjo do të mundësonte ngrohje cilësore, me një çmim të arsyeshëm dhe pa ndotje mjedisore.”

Që nga fillimi i pandemisë, BEI ka ofruar 70 milionë euro për Kosovën për të mbështetur rimëkëmbjen më të shpejtë të biznesit të vogël dhe krijimin e planeve të trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë.

Të dhëna bazë:

Rreth BEI-së në Ballkanin Perëndimor:

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2009, Banka ka financuar projekte që arrijnë në afro 9,5 miliardë euro në rajon. Përveç vazhdimit të mbështetjes për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI është zgjeruar që nga viti 2010 në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-së në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans.

Rreth BEI Globale

BEI Globale është krahu i ri i specializuar i Grupit të BEI-së, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financimin e zhvillimit. BEI Globale u krijua për të nxitur partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën

Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike

Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike (NRE) u krijua në vitin 2016 në përgjigje të një thirrjeje nga Këshilli Evropian. Objektivi i nismës është të ndihmojë në ndryshimin e modeleve të emigrimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe të ofrojë mbështetje për popullsitë e zhvendosura me forcë, duke rritur rimëkëmbjen ekonomike ndaj goditjeve të ardhshme. NRE e realizon objektivin e saj duke mobilizuar financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në rajonet fqinje të Bashkimit Evropian.