>@EIB
  • BEI është e gatshme të intensifikojë mbështetjen e saj për rajonin në adresimin e sfidave energjetike
  • Zëvendëspresidentja e BEI-t, Pavlova përshëndeti Paketën e re të Energjisë të Komisionit Evropian për të adresuar sfidat afatshkurtra dhe afatmesme në Ballkanin Perëndimor
  • Në vitin 2022, banka e BE-së rriti mbështetjen teknike për të nisur tetë projekte për efikasitetin energjetik në rajon

Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit 2022 për Ballkanin Perëndimor, Lilyana Pavlova, zëvendëspresidente e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), ripohoi mbështetjen e bankës së BE-së për tranzicionin e gjelbër dhe sigurinë energjetike në rajon. Sipas strukturës së re të dedikuar të BEI Globale, banka po rrit mbështetjen financiare dhe teknike për të ndihmuar rajonin të përparojë me axhendën e gjelbër, të diversifikojë sektorin e energjisë dhe të rrisë fleksibilitetin ndaj ndryshimeve klimatike. Duke iu referuar paketës së energjisë për Ballkanin Perëndimor të njoftuar së fundmi nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zëvendëspresidentja Pavlova e theksoi këtë paketë si një demonstrim të qartë të solidaritetit të BE-së me rajonin.

“BEI – si banka e BE-së – gjithashtu do t'ju shoqërojë në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ne do ta vendosim grupin e shërbimeve tona tërësore të huadhënies, ndërthurjes dhe konsulencës në qendër të këtyre përpjekjeve.  Si gjithmonë, ne do ta bëjmë këtë së bashku me partnerë si KE-ja, BERZH-i dhe KfW-ja, si pjesë të qasjes më të gjerë të Team Europe për zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së”, tha ajo.

Në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian dhe partnerët e tjerë të “Team Europe”, BEI Globale po punon në mënyrë aktive për të kryer një sërë investimesh për energjinë e rinovueshme në rajon, si ferma e erës në Vlashiç dhe centrali diellor në Obiliq. Në të njëjtën kohë, banka po zhvillon një instrument financiar novator për rajonin, në mënyrë që të nxisë energjinë më të pastër, përshtatjen klimatike dhe zhvillimin e gjelbër teknologjik, si dhe për të stimuluar investimet e sektorit privat në tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

“Në veçanti, ne do të punojmë me ju për energjinë e rinovueshme - për të shfrytëzuar potencialin thelbësor për energjinë eolike dhe diellore në rajon.  Ne do t'ju ndihmojmë të bëni investime më efikase në rrjetet elektrike dhe infrastrukturën e depozitimit, dhe që të mund të mbështeteni mbi BEI-n për t’u siguruar që efikasiteti energjetik të jetë pjesë përbërëse e të gjitha investimeve tona në transport, zhvillimin urban, strehim, menaxhimin e mbetjeve ose zhvillimin e sektorit privat.” - nënvizoi zëvendëspresidentja, Pavlova.

Në vitin 2022, BEI Globale ka ofruar tetë grante teknike me vlerë mbi 8 milionë euro për projektet e efikasitetit energjetik në kuadër të nismës së saj për rimëkëmbjen ekonomike, duke përfshirë projektin e banesave sociale në Tiranë dhe sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë. Banka e BE-së do të vazhdojë të forcojë sigurinë energjetike, bashkëpunimin rajonal dhe lidhshmërinë, të cilat janë thelbi i Procesit të Berlinit dhe pjesë e angazhimeve të miratuara nga liderët e Ballkanit Perëndimor në samit.

“Shpejtësia dhe saktësia me të cilën do të zbatoni marrëveshjet që keni arritur në këtë samit sot për energjinë dhe tranzicionin e gjelbër - dhe për lëvizshmërinë më të madhe për të përmirësuar tregun tuaj të përbashkët rajonal - do të përcaktojë se sa shpejt mund të vijnë përfitimet për qytetarët tuaj.” - përmbylli zëvendëspresidentja e BEI-t.

BEI Globale ka investuar 9.5 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2009, duke kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës jetike, rritjen e sektorit privat, si dhe në rrjetin më të sigurt dhe të larmishëm të energjisë.

Të dhëna bazë

Rreth BEI-t:

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së.

Rreth BEI Globale:

BEI Globale është krahu i ri i specializuar i Grupit të BEI, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit. BEI Globale ka për qëllim të nxisë partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën

Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej thuajse 9,5 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si shëndetësia, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans