• Në vitin 2020, BEI-ja rriti investimet e saj në rajon me gati 50%, duke e çuar shumën e angazhimeve financiare në 873 milion euro
  • Lilyana Pavlova, zëvendës-presidentja e BEI-së për Ballkanin Perëndimor, nënvizoi kontributin thelbësor të BEI-së për zhvillimin social dhe ekonomik në vitin 2020, duke hedhur hapat për investime të mëtejshme në planin ekonomik dhe të investimeve të KE-së
  • BEI-ja ka mobilizuar tashmë mbi 1 miliard euro financime në kuadër të përgjigjes së Team Europe të BE-së ndaj Covid në rajon

Siç është paraqitur në konferencën për shtyp të mbajtur sot, Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) ka investuar 873 milion euro në Ballkanin Perëndimor në vitin 2020, duke e rritur financimin e saj në rajon me 50 për qind në krahasim me vitin 2019. Ajo ka ofruar mbështetje të gjerë për rimëkëmbja nga COVID-19 brenda nismës së Team Europe të BE-së për të ndihmuar sektorët më të prekur.

Në përputhje me fokusin e BE-së për lidhshmërinë, pjesa më e madhe e investimeve  me një vlerë prej 531 milionë janë ndarë për ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transportit në rajon, së bashku me grantin prej 12 milion eurosh në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor për Korridorin Vc në Bosnjë dhe Hercegovinë. Banka e BE-së ka mbështetur një portofol të larmishëm investimesh në sektorë kyç për rajonin, duke përfshirë investimin prej 65 milionë eurosh në digjitalizimin e mbi 1500 shkollave në të gjithë Serbinë. Ky projekt do të mundësojë futjen e të pajisjeve të IT dhe internet të shpejtë, ndërkohë që rreth 50 000 mësues do të mund të trajnohen për aftësitë digjitale. Së bashku me ambicien e Bankës për klimën, investimi në vlerën e 11 milionë eurove në infrastrukturën e kanalizimeve në Kosovë* do të përmirësojë aksesin e 90 000 njerëzve të Komunës së Gjilanit në ujë.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) kanë marrë mbështetje të konsiderueshme nga Grupi i BEI-së, i përbërë nga BEI-ja dhe Fondi Evropian i Investimeve (FEI) në vitin 2020, i cili investoi 320 milion euro në sektorin bankar për të mbështetur bizneset e vogla. Grupi ka përforcuar instrumentet e tij në mbështetje të sektorit privat dhe për lëvrimin e mëtejshëm të garancive të buxhetit të BE-së si dhe për zgjidhjet në ndarjen e rrezikut për të përmirësuar konkurrencën e kompanive dhe sipërmarrësve vendas. Sektori privat ka nevojë për mbështetje të fortë për të përmbushur tranzicionin e rajonit drejt një modeli ekonomik më të gjelbër, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm. Duke shkuar përpara, ne duam të shtojmë sukseset tona, të tilla si Instrumenti i Garancive i Instrumentit për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor (EB EDIF) - të menaxhuar nga FEI - i cili ka mbështetur mijëra NVM vendase e vende pune dhe është rritur së fundmi nga DG NEAR si pjesë e përgjigjes ndaj krizës së COVID19 . BEI-ja ka zgjeruar gjithashtu mbështetjen e saj në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimeve, duke kanalizuar një asistencë teknike me vlerë 17 milion euro në kuadër të Nismës për Qëndrueshmëri Ekonomike dhe WBIF.

BEI-ja është një aktor kryesor në përgjigjen e Team Europe të BE-së ndaj krizës së COVID, duke ndarë një shumë prej 1.7 miliardë eurosh nga shuma totale prej 3.3 miliardë eurosh e BE-së, e cila u shpall në Samitin e Zagrebit për Ballkanin Perëndimor në maj të vitit 2020.  Deri më tani, Banka ka mobilizuar mbi 1 miliardë euro për të përshpejtuar rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor nga COVID-19. Fondet janë kanalizuar si ndihmë e menjëhershme për sektorët e kujdesit shëndetësor dhe privat, veçanërisht për kompanitë e vogla që u goditën më së shumti nga pandemia.

Zëvendës-presidentja e BEI-së, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Jam e kënaqur që Grupi i BEI-së pothuajse ka dyfishuar vëllimin e investimeve për Ballkanin Perëndimor në një nga vitet më sfidues në historinë e kohëve të fundit. Megjithatë, ne nuk do të ndalemi këtu, por të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje tonë të plotë në ndihmë të rajonit për të kapërcyer krizën e COVID-19, për të ecur përpara me integrimin në BE dhe për të përshpejtuar transformimin kaq të nevojshëm ekonomik drejt tregut të gjelbër dhe digjital. Krenohemi veçanërisht me kredinë e parë financuese të BEI-së që do të nxisë punësimin e të rinjve dhe sipërmarrjen e grave dhe për fillimin e investimeve në digjitalizimin e sektorit privat dhe publik.”

Në vitin 2021, Banka planifikon të japë më shumë mbështetje për veprimet ndaj klimës, rimëkëmbjen e NVM-ve, lidhshmërinë, transformimin digjital dhe projektet që inkurajojnë punësimin gjithëpërfshirës. Të gjitha këto nisma janë pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.  Grupi i BEI-së pret me padurim që të punojë me të gjithë partnerët për zbatimin e këtij Plani të rëndësishëm që synon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro për rritje gjithëpërfshirëse, transport të qëndrueshëm, transformim digjital e të gjelbër dhe krijimin e tregut të përbashkët rajonal, si dhe për investimet në vlerën e 20 miliardë eurove në kuadër të Instrumentit të Garancisë për Ballkanin Perëndimor.