- BEI Globale angazhon 50 milionë euro për Shqipërinë me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë veriore të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.
- Kredia mbështet projektin për të krijuar lidhjen e parë të drejtpërdrejtë turistike midis Alpeve Shqiptare dhe bregdetit Adriatik.
- Qëllimi është përmirësimi i infrastrukturës duke filluar nga rrugët rajonale deri te rrjetet e ujësjellësit.
Instrumenti i zhvillimit i Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve, BEI Globale, i ofron Shqipërisë një financim me vlerë 50 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet bazë në tri bashkitë veriore: Shkodër, Lezhë dhe Malësi e Madhe. Projekti do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rajonal të veriut të Shqipërisë, mbrojtjen e mjedisit, lidhshmërinë, turizmin dhe tërheqjen e investimeve të reja. Kredia e BEI Globale mbështet gjithashtu një projekt për të krijuar lidhjen e parë të drejtpërdrejtë turistike midis Alpeve Shqiptare dhe bregdetit Adriatik.
Qeveria shqiptare do ta përdorë financimin për të përmirësuar rrugët rajonale, sheshet dhe bulevardet urbane, transportin publik, infrastrukturën ujore dhe monumentet natyrore dhe historike. Shkodra, Lezha dhe Malësia e Madhe ndodhen në ose afër Liqenit të Shkodrës dhe aseteve të tjera unike natyrore dhe turistike.
"Ne po e ndihmojmë Shqipërinë të afrojë infrastrukturën e saj me standardet e BE-së, duke rritur interesin dhe duke zgjeruar mundësitë ekonomike në këto rajone, të cilat mbështesin biznesin, krijimin e vendeve të punës dhe investimet e reja", tha tha përfaqësuesi i BEI-t në Shqipëri, Alessandro de Concini.
BEI Globale ka ofruar financime për Shqipërinë, me vlerë pothuajse 900 milionë euro, gjatë tri dekadave të fundit për një sërë projektesh zhvillimi, duke përfshirë infrastrukturën urbane.
"Ky është një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe territorial të veriut të Shqipërisë, me një vlerë totale investimi prej 100 milionë eurosh", tha Ministri i Financave i Shqipërisë, Petrit Malaj. "Ai përbën një ndërhyrje strategjike që synon të ofrojë përfitime të drejtpërdrejta dhe të prekshme për komunitetet në zonat që i shërben".
Siç u theksua nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, projekti "Porta e Alpeve" përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë.
“Duke përmirësuar hapësirat urbane, bulevardet dhe infrastrukturën kyçe, ne jo vetëm që po lidhim zona të rëndësishme turistike si vija bregdetare, liqeni dhe Alpet, por gjithashtu po investojmë në rrjete jetike për furnizimin me ujë, kanalizimet, transportin urban dhe menaxhimin e ndotjes”, tha ministri Karakaçi. “Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik gjatë të gjithë vitit. Ky projekt është hartuar për të qenë më afër njerëzve dhe do të ketë një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të të gjithë rajonit të Shkodrës.”
BEI Globale po kontribuon me një grant asistence teknike prej 1,75 milionë eurosh për të mbështetur përgatitjen e një programi investimesh për zonat përkatëse. Granti financohet përmes programit të BEI-t, Nisma e Rimëkëmbjes Ekonomike, zbatimi i së cilës do të udhëhiqet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
“Ky program përbën një moment kyç për zhvillimin rajonal në veri të Shqipërisë, i cili do të zbatohet përmes një pakete të integruar investimesh në rrugë, ujësjellës, ripërtëritje urbane dhe turizëm, që punojnë së bashku për të transformuar një territor të tërë”, tha Dritan Agolli, drejtor ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. “Partneriteti ynë me BEI Globale është vendimtar në shndërrimin e këtij vizioni në përfitime të prekshme për qytetarët në Shkodër, Lezhë dhe Malësi të Madhe, si dhe në krijimin e lidhjes së parë të drejtpërdrejtë turistike midis Alpeve Shqiptare dhe bregdetit Adriatik.”
Të dhëna bazë:
BEI Globale
BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit me përfitim të dyfishtë, si dhe një partner kyç i Team Europe dhe Global Gateway. BEI Globale e sjell Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve përmes zyrave të saj në mbarë botën.
Rreth BEI Globale në Ballkanin Perëndimor:
BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë prej pothuajse 13 miliardë eurosh në rajon. Së bashku me mbështetjen e vazhduar për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që nga viti 2010, BEI është zgjeruar në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni : www.eib.org/publications/the-eib-in-the-western-balkans
Rreth BEI Globale në Shqipëri:
BEI Globale ka qenë aktive në Shqipëri që nga viti 1995. Deri më sot, janë financuar 29 projekte dhe janë investuar mbi 880 milionë euro, kryesisht në infrastrukturën kryesore të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion rreth projekteve të BEI-t në Shqipëri, vizitoni faqen: Shqipëria dhe BEI
EIB Global invests over €50 million in sustainable development of northern Albania
©EIB
Download original
EIB Global invests over €50 million in sustainable development of northern Albania
©EIB
Download original