>@EIB
  • BEI Globale do të ndihmojë në identifikimin e nevojave për përmirësim në arsimin e lartë në Kosovë
  • Asistenca teknike është hapi i parë për një ndërhyrje më të gjerë të bankës në forcimin e sektorit të arsimit në Kosovë
  • Që prej vitit 2020, BEI Globale ka investuar 70 milionë euro në bizneset e vogla të Kosovës dhe në sektorin e mjedisit.

BEI Globale, dega e dedikuar e BEI-t për aktivitetet jashtë Bashkimit Evropian, po i ofron Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë një grant me vlerë 600 000 euro në formën e asistencës teknike. Duke analizuar situatën në sektorin e arsimit të lartë në Kosovë, mbështetja këshilluese do të ofrojë rekomandime për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe standardeve të institucioneve publike të arsimit të lartë. Ky vlerësim është hapi i parë për zgjerimin, rinovimin dhe rehabilitimin e universiteteve të përzgjedhura publike dhe do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të arsimit të lartë për njerëzit në Kosovë.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet e Bankës në Ballkanin Perëndimor, tha: “Dega jonë e zhvillimit, BEI Globale, ka kontribuar në rritjen e mbështetjes teknike për projekte të reja dhe të qëndrueshme në rajon, në përputhje me standardet e BE-së. Granti i nënshkruar me partnerët tanë në Kosovë do të ndihmojë në ofrimin e udhëzimeve për zhvillimin e proceseve moderne arsimore dhe të infrastrukturës për secilin institucion të përfshirë në projekt. Në këtë mënyrë, granti do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike përmes fuqizimit njerëzor dhe zhvillimit të kompetencave të afta për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës në mënyrë më efikase.

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, vlerësoi bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me BEI-n, si një nga partnerët kyç të zhvillimit në rrugën drejt integrimit në BE, dhe tha se “Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për ne. Sektori i arsimit të lartë do të përfitojë jashtëzakonisht nga rekomandimet e ekspertëve të angazhuar dhe kjo do t’i hapë rrugën prioritizimit të investimeve tepër të nevojshme në të ardhmen në infrastrukturën e arsimit të lartë.”

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, deklaroi: “Kjo marrëveshje është një dëshmi e mëtejshme e përkushtimit të EIB Global për të mbështetur Kosovën, këtë herë drejt përmirësimeve në shkallë të gjerë në sektorin e arsimit. Infrastruktura dhe standardet e arsimit të lartë janë dy shtylla kyçe që përcaktojnë cilësinë e arsimit të ofruar dhe ky grant është një mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar dhe avancuar sistemin tonë arsimor.”

Në vitin 2022, BEI Globale ofroi dy grante asistence teknike për Kosovën me vlerë 2,1 milionë euro. Që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, BEI ka zhbllokuar 70 milionë euro për Kosovën për të mbështetur rimëkëmbjen më të shpejtë të bizneseve të vogla dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza. Deri më sot, BEI ka dhënë 170 milionë euro për sektorin e arsimit në Ballkanin Perëndimor.

Të dhëna bazë:

Rreth BEI Globale

BEI Globale është krahu i ri i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financimin e zhvillimit. BEI Globale u krijua për të nxitur partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën

Rreth BEI Globale në Ballkanin Perëndimor:

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2009, banka ka financuar projekte që arrijnë në afro 9,5 miliardë euro në rajon. Përveç vazhdimit të mbështetjes për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI është zgjeruar që nga viti 2010 në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI Globale në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: Aktiviteti i grupit të BEI-t në Ballkanin Perëndimor 2021. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Kosovë, shihni: https://www.eib.org/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/kosovo/index.htm

* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës