Suche starten DE menü Kundenportal der EIB-Gruppe
Suche starten
Ergebnisse
Top-5-Suchergebnisse Alle Ergebnisse anzeigen Erweiterte Suche
Häufigste Suchbegriffe
Meistbesuchte Seiten
EIB
  • Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timčo Mucunski, bien dakord të avancojnë bashkëpunimin strategjik dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e vendit pritës me qëllim rritjen e bashkëpunimit.
  • Që prej vitit 1991, BEI ka investuar 1,6 miliardë euro për të mbështetur infrastrukturën jetike ekonomike, komunat dhe bizneset maqedonase.
  • Krahu i zhvillimit të Bankës së BE-t (BEI Globale) pret të zgjerojë mbështetjen e saj për kujdesin shëndetësor dhe arsimin, duke rritur njëkohësisht asistencën teknike.

Gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot, u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe nënshkroi një marrëveshje të vendit pritës me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timčo Mucunski, duke shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes për rritjen ekonomike të vendit dhe integrimin në BE.

Si Banka e BE-së, BEI ka investuar 1,6 miliardë euro në Maqedoninë e Veriut për projekte të qëndrueshme, duke siguruar kushte më të mira të ujësjellës-kanalizimeve, lidhje moderne transporti, biznese më të forta dhe siguri të përmirësuar energjetike. Marrëveshja e re do t'i mundësojë BEI-t të forcojë këtë bashkëpunim, duke rritur në maksimum mbështetjen financiare dhe teknike në fusha të tjera kyçe, siç janë kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

"Kjo marrëveshje forcon partneritetin tonë dhe konfirmon qëllimet tona të përbashkëta - mbështetjen e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në BE, përmirësimin e lidhjes rajonale dhe tranzicionin e gjelbër", tha zëvendëspresidenti Robert De Groot në ceremoninë e nënshkrimit në Shkup. "Investimet e qëndrueshme janë jetike për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të gatshme për të ardhmen, që mund të konkurrojë në të gjithë BE-në dhe globalisht."

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, u shpreh: “Që nga sot, BEI do të jetë edhe më pranë institucioneve shtetërore, qeverisjes lokale dhe kompanive maqedonase, duke ofruar mbështetje për realizimin e investimeve dhe projekteve të tyre zhvillimore. Prania më e afërt e BEI-së përfaqëson një sinjal të qartë se vendi ynë po ecën drejt një ekonomie moderne, evropiane dhe konkurruese – të hapur për investime dhe të orientuar drejt rritjes afatgjatë dhe të qëndrueshme.”

BE-ja po e mbështet në mënyrë aktive vendin në disa fusha kyçe, si pjesë e përpjekjeve të saj më të gjera për të lehtësuar integrimin e vendit në BE dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Si krahu huadhënës i BE-së, BEI luan një rol kyç në përkthimin e angazhimit të BE-së për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE në projekte konkrete”, u shpreh Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas. “Së bashku, në kuadër të nismës “Team Europe”, ne po investojmë në transformimin e vendit - duke mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, infrastrukturën moderne dhe standardet më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët”, nënvizoi ai.

Gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, zëvendëspresidenti De Groot u takua gjithashtu me ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Kočoska, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, ministrin e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerare, Sanja Božinovska, dhe përfaqësuesit e Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut (DBNM) për të diskutuar lidhur me mundësitë për rritjen e mbështetjes financiare dhe teknike për vendin.

Në vitin 2025, BEI Globale krijoi partneritet me Dhomën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut për të njoftuar Udhëzuesin Online të Dekarbonizimit dhe po punon me bankat vendase për të forcuar praktikat ndaj rreziqeve klimatike. Në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim, që prej vitit 2019, 920 kompanive kanë përfituar financim me vlerë 650 milionë euro, duke mbështetur mbi 61 000 vende pune dhe duke krijuar rreth 2000 të reja.

Të dhëna bazë

Rreth BEI-t dhe BEI Globale

BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI mbështet projekte në katër fusha prioritare: infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis, dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (NVM). BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027 - rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Në kuadër të “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.

Rreth BEI Globale në Maqedoninë e Veriut

BEI Globale ka qenë aktive në Maqedoninë e Veriut që nga themelimi i saj në vitin 1991, duke dhënë financim për të mbështetur projekte kyçe të infrastrukturës, autoritetet lokale dhe bizneseve të vogla. BEI ka dhënë 1,6 miliardë euro financim për bizneset e vogla dhe projektet e infrastrukturës së transportit, energjisë dhe shërbimeve. Ajo e vë ekspertizën e saj teknike dhe financiare në dispozicion të partnerëve të saj vendas përmes këshillave dhe asistencës teknike të përshtatur. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Maqedoninë e Veriut, vizitoni Maqedonia e Veriut dhe BEI.

BEI Globale është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet tona në këtë rajon, www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans.

Kontakt

Referenz

2025-451-SQ