- BEI emëron Alessandro de Concini, një nga specialistët e saj bankarë për Ballkanin Perëndimor, si përfaqësues të ri në Shqipëri.
- Banka e BE-së mbetet e përkushtuar për të mbështetur tranzicionin e gjelbër dhe dixhital të vendit, procesin e anëtarësimit në BE dhe përpjekjet për përmirësimin e lidhjes
- De Concini pason Petia Manolovën në këtë rol
Krahu i zhvillimit i Bankës Evropiane të Investimeve, BEI Globale, ka emëruar Alessandro de Concini si përfaqësuesin e saj të ri në Shqipëri. De Concini, i lindur në Itali, i cili ka punuar gjatë 17 viteve të fundit në Grupin e BEI-t, zëvendëson Petia Manolova pasi mandati i saj përfundoi në shtator. Përmes këtij drejtimi të ri dhe në bashkëpunim me partnerët e saj, Banka do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si dhe tranzicionin e vendit drejt një ekonomie me pak karbon dhe rritjes ekonomike.
De Concini do të shërbejë për një mandat prej të paktën tre vjetësh si përfaqësues i BEI-t në Shqipëri dhe do të jetë në Tiranë. Në këtë rol të ri, ai do të vazhdojë të çojë përpara mbështetjen e Bankës për tranzicionin e gjelbër dhe digjital të vendit, konkurrencën dhe anëtarësimin në BE. Para këtij pozicioni, ai kaloi pesë vjet si pjesë e ekipit të huadhënies për Ballkanin Perëndimor, duke mbikëqyrur operacionet e sektorit publik dhe bankar në Shqipëri, *Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
BEI Globale ka angazhuar rreth 780 milionë euro në Shqipëri që nga viti 1995 për të çuar përpara projektet e zhvillimit në fusha që variojnë nga rrugët dhe hekurudhat deri tek energjia dhe ujësjellësi. Nismat e reja të financimit të BE-së ofrojnë mundësi për shtim të investimeve në vend.
“Grupi i BEI-së, me Alessandro de Concini që na përfaqëson në vend, është plotësisht të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë të zhbllokojë këto mundësi për të nxitur rritjen ekonomike, integrimin rajonal dhe për të përshpejtuar rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE", tha zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot, i cili është përgjegjës për aktivitetet e bankës në Ballkanin Perëndimor.
Deri në vitin 2025, BEI Globale ka nënshkruar kredi dhe grante për Shqipërinë me vlerë 90 milionë euro. Ndër nismat e saj këshillimore, BEI Globale po ofron gjithashtu asistencë teknike për Bankën e Shqipërisë në integrimin e rreziqeve klimatike në kuadrin e saj rregullator, duke zhvilluar një taksonomi të gjelbër për sektorin financiar dhe duke zhbllokuar fonde të reja për projekte të gjelbra.
“Marrja përsipër e këtij roli është njëkohësisht një nder dhe një angazhim”, tha de Concini. “Përvoja ime në formësimin dhe zbatimin e projekteve me ndikim të lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor më pajis me njohuritë e nevojshme për të mbështetur në mënyrë aktive tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, digjitalizimin dhe përpjekjet ndaj ndryshimeve klimatike. Ndihma për sektorin privat - dhe veçanërisht bizneset e vogla - në mënyrë që të investojnë, të rriten dhe të përshtaten në një klimë rregullatore dhe biznesi në zhvillim, do të jetë gjithashtu thelbësore për të forcuar konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Pres me padurim të thelloj angazhimin tim në terren me autoritetet, partnerët dhe përfituesit e mbështetjes së BEI Globale.”
De Concini ka përfunduar Masterin Shkencor në Ekonomi nga Universiteti Bocconi në Milano.
Të dhëna bazë:
Rreth BEI-t dhe BEI Globale:
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian, në pronësi të shteteve anëtare. Ajo financon investime që ndjekin objektivat e politikave të BE-së.
BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ajo synon të mbështesë investime me vlerë prej 100 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2027 – rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Në kuadër të “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e sjell Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve përmes zyrave të saj në mbarë botën.
Rreth BEI Globale në Ballkanin Perëndimor:
BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë prej pothuajse 11 miliardë eurosh në rajon. Së bashku me mbështetjen e vazhduar për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që nga viti 2010, BEI është zgjeruar në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni : www.eib.org/publications/the-eib-in-the-western-balkans
Rreth BEI Globale në Shqipëri:
BEI Globale ka qenë aktive në Shqipëri që nga viti 1995. Deri më sot, janë financuar 25 projekte dhe janë investuar mbi 780 milionë euro, kryesisht në infrastrukturën kryesore të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Shqipëri, mund të shihni: https://www.eib.org/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/albania/index.htm